Kredi Bankare

 

Një kredi hipotekore përbëhet nga tre elemente, pa të cilët kredia nuk do të ishte e zbatueshme. Çdo element duhet të marrë një vlerë, përndryshe kredia nuk mund të llogaritet. Këta elementë janë:

• Shuma e kredisë

• Norma e interesit

• Afati i kredisë

 

Shuma e kredisë i referohet vetëm vlerës nominale; me fjalë të tjera, sasisë së parave që ju dëshironi të kreditoheni (merrni hua). Norma e interesit është kostoja e rregullt që huadhënësi vendos për fondet e huazuara. Kjo shprehet zakonisht si përqindje e shumës së kredisë, dhe llogaritet në bazë vjetore. Kjo ka një impakt të pashmangshëm në shumën e këstit tuaj mujor. Në rastin kur dy komponentët e tjerë (Shuma dhe Afati i kredisë) mbeten të pandryshuar, sa më e vogël të jetë norma e interesit, aq më i vogël do të jetë kësti juaj mujor; sa më e lartë të jetë norma e interesit, aq më i lartë do të jetë kësti. Afati i kredisë nënkupton kohën që duhet për të amortizuar ose shlyer kredinë. Kjo mund të shprehet në muaj ose vite.

 

Avantazhet kryesore për blerjen e shtëpisë nëpërmjet financimit me kredi hipotekore, janë si më poshtë:

• Me marrjen e një kredie hipotekore, huamarrësi vë në zbatim një nga parimet bazë të blerjes së pasurive të paluajtshme: blerjen me paratë e të tjerëve. Kjo eleminon nevojën e përdorimit të parave (cash) ose rezervave (depozitave), të cilat janë aq të vlefshme në raste urgjence, apo për mundësi të tjera investimi. Po aq i rëndësishëm mbetet fakti, që ju mund të mos i zotëroni këto para për ekzekutimin e këtij transaksioni.

• Me blerjen e pasurisë suaj ju nuk do të shpërdoroni më paratë në shpenzime qeraje. Gjithashtu, ju mund ta përdorni pasurinë e paluajtshme si kolateral për një kredi të dytë në të ardhmen.

• Kredia hipotekore mund të shërbejë për realizimin e qëllimeve të ndryshme si: blerja e një shtëpie, blerja e një dyqani, ndërtimin e një shtëpie, ndërtimin e një shtëpie verore, rinovimin e shtëpisë suaj etj.

• Pasuria e paluajtshme mund të përdoret si një residencë e dytë ose mund ta jepni me qira, të ardhura këto me të cilat mund të shlyeni këstet mujore të kredisë.

• Krahasuar me mënyrat e tjera të huamarrjes, Kredia Hipotekore është kosto efektive. Normat e interesit të Kredive Hipotekore tentojnë të jenë më të ulta në krahasim me mënyrat e tjera të huamarrjes, sepse kredia sigurohet nëpërmjet një prone të paluajtshme.

 

Megjithatë, marrja e një kredie hipotekore ka edhe disavantazhe:

• Ekziston risku i mospagimit në kohë, si pasojë e papunësisë, sëmundjeve, apo ndonjë ngjarjeje të paparashikueshme, e cila nuk mbulohet nga policat e sigurimeve.

• Mund të përballeni me uljen e vlerës së shtëpisë tuaj; si pasojë, çmimi i shtëpisë tuaj mund të rezultojë më i vogël sesa borxhi ndaj huadhënësit.

• Norma e interesit mund të luhatet përderisa kreditë jepen me norma të ndryshueshme interesi. Nëse interesi rritet, kësti mujor i kredisë do të rritet.

• Përgjithësisht detyrimi për kredinë hipotekore është afatgjatë.

• Nëqoftëse e “sforconi” buxhetin tuaj për blerjen e shtëpisë, ju ndoshta nuk mund të keni para për të përballuar pagesa për në restorante, pushime apo argëtime të tjera.

• Tregu i shtëpive ka luhatje. Vlerësimi apo zhvlerësimi i pronës varet nga koha kur është blerë shtëpia; nëse shtëpia është blerë në periudhë lulëzimi apo në periudhë vështirësie të tregut të shtëpive. Shtëpia mund të mos ketë të njëjtën vlerë si në kohën e blerjes, duke bërë që pronari të mos ketë fitim në momentin që planifikon shitjen e shtëpisë.

 

KRITERET

 

Për t’u kualifikuar për një kredi ju duhet të:

Jeni rezident në Shqipëri

Të merrni pagën në institucion brenda Shqipërisë

 

DOKUMENTET QË DUHEN PËR TË MARRË KREDI

 

Dokumentet e kërkuara mund të variojnë nga njëra Bankë në tjetrën, por në përgjithësi kërkohen dokumentet vijuese:

• Dokument identifikimi i kohëve të fundit

• Çertifikatë familjare

• Dokumente për të vërtetuar të ardhurat tuaja

• Për individët: vërtetim page

Për profesionistët dhe personat juridikë të vetëpunësuar: Dokumentet ligjore të aktivitetit të tyre, kompanisë (ekstrakt i QKB-së) dhe bilancet financiare

• Vërtetim nga Gjykata, Prokuroria

• Dokumentet e pasurisë së paluajtshme që do të ofroni si garanci: “Çertifikatë pronësie” ose “Vërtetim pronësie”

• Dokument i objektit të kredisë nëse ndryshon nga pasuria e paluajtshme që do të ofroni si garanci.

 

Shumica e kredive hipotekore janë krijuar në bazë të një plani shlyerje 20 vjeçar, por mund të variojnë nga 10 deri 30 vjet. Pasi të përcaktoni afatin e përshtatshëm të shlyerjes, përcaktoni shumën që mund të paguani çdo muaj. Sa më i shkurtër të jetë afati i maturimit, aq më i lartë do të jetë kësti mujor, por në vlerë absolute do të paguani më pak interes gjatë ripagimit të kredisë. Interesi është kryesisht çmimi që ju i paguani institucionit huadhënës për përdorimin e parave të tyre. Sigurisht, sa më e ulët të jetë norma e interesit (kur shuma dhe afati i kredisë mbetën të pandryshuar) aq më të ulta do të jenë këstet mujore. Huadhënësit konkurojnë egërsisht në treg, kështu që kërkoni për normat më të ulta të interesit që mund të përfitoni. Bëni kujdes në dallimin e ndryshimit midis normës nominale dhe asajreale të interesit. Norma nominale siç komunikohet shpesh në spotet televizive nuk përfshin kostot shtesë mbi huanë (komisionet, tarifat, primet e sigurimeve, etj), ndërsa norma reale i përfshin të gjitha këto kosto shtesë. Norma reale i lejon aplikantëve për kredi të krahasojnë ofertat e ndryshme në treg.

 

SIGURIMI

 

Risku është ngjarja që mund të çojë në humbje të papritura. Disa nga rreziqet kryesore me të cilat ju mund të përballeni përfshijnë rrezikun e dëmtimit të pronës së blerë me kredi hipotekore dhe rreziku i mospagimit si rezultat i humbjes së jetës. Me qëllim që të reduktojnë pasigurinë, bankat bashkëpunojnë me kompanitë e sigurimit, të cilat ju sigurojnë ndaj surprizave të pakëndshme të jetës. Kërkoni ofertat më të mira nga sigurues të ndryshëm, ju nuk duhet të kërkoni një sigurues të veçantë përderisa bankat kanë nënshkruar marrëveshje kontraktuale me kompani sigurimi të çertifikuara, të cilat ofrojnë paketa sigurimi për qëllime huadhënie. Mos kërko vetëm për ofertën më të mirë (çmim) por edhe për kompaninë siguruese më të mirë. Çmimi është i rëndësishëm por jo kryesor, përderisa mirëbesimi dhe mundësia e siguruesit për të ripaguar rreziqet e mbuluara janë shumë më të rëndësishme.

Sigurimi i pronës është i detyrueshëm sipas kontratës së kredisë hipotekore. Nëse prona që keni blerë me fonde të marra hua dëmtohet ose shkatërrohet, ju do të humbni në kolateral. Me fjalë të tjera, polica e sigurimit të pronës siguron që edhe nëse prona bëhet shkrumb e hi, në çdo rast shuma e kredisë së mbetur do të mbulohet nga një kompani sigurimi.

Sigurimi i jetës për mbrojtjen e kredisë hipotekore është thjesht një sigurim që shlyen kredinë hipotekore në rast vdekje nëse kredia hipotekore nuk është paguar plotësisht. Lloji origjinal i sigurimit të kredisë hipotekore ndiqet nga balanca e kredisë hipotekore, kur ulet detyrimi juaj i kredisë hipotekore, ulet edhe shuma per të cilën do të bëni sigurimin e jetës.

Compare Listings