Sigurimi i Pronës
Sigurimi i pronës dhe sigurimi i pasurisë së paluajtshme është një sigurim, i cili duhet të bëhet pothuajse nga çdo njeri. Asnjë nga ne nuk është i sigurt përsa i përket sigurimit të pronës dhe sigurimit të pasurisë së paluajtshme, sepse ne nuk mund t’i parashikojmë dhe të mbrohemi nga katastrofat natyrore, vjedhjet, zjarret, etj. dhe të gjithë ne jemi të rrezikuar në këtë aspekt.
· Llojet kryesore të kontratave të sigurimit të pronës
– Sigurimi nga zjarri dhe rreziqet shtesë siguron pronën nga humbjet, dëmtimet ose shkatërrimet në mënyrë të papritur, të paparashikuar dhe aksidentale si pasojë e zjarrit, tërmetit, përmbytjet, rrufesë, stuhisë, etj.
– Sigurimi nga vjedhja garanton dëmshpërblim për sendet e vjedhura të listuara në kontratën e sigurimit.
– Sigurimi i kulturave bujqësore siguron të gjitha llojet e kulturave ndaj breshërit dhe rreziqeve natyrore si: stuhia, përmbytja, ngrica apo shtrëngata.
– Sigurimi i blegtorisë është një kontratë sigurimi, me anë të së cilës sigurohet blegtoria ndaj sëmundjeve dhe aksidenteve.
– Sigurimi i ndërprerjes së biznesit mbulon shpenzimet si pasojë e ndërprerjes së aktivitetit të biznesit nga zjarri apo rreziqet shtesë, duke garantuar fitimin neto si dhe kostot fikse.
· Si të vlerësoni përshtatshmërinë e kontratës së ofruar?
Për të lidhur një kontratë sigurimi duhet të drejtoheni tek një ndërmjetës në sigurime (agjent apo broker) ose tek punonjësi i shoqërisë së sigurimit. Në këtë rast, duhet:
– Të kërkoni t’ju shpjegohen karakteristikat kryesore të kontratës për produktet të cilat i ofron shoqëria e sigurimit;
– Të jepni informacion mbi nevojat tuaja për sigurim;
– Të prezantoni gjendjen tuaj financiare;
– Të jepni informacion mbi masën e rrezikut që jeni të gatshëm të merrni përsipër dhe mbi qëllimet që dëshironi të arrini.
Kjo do të lejojë që së bashku me ndërmjetësin në sigurime, të identifikohen nevojat e individit i cili kërkon të sigurohet për të kërkuar tek shoqëria e sigurimit produktin që përshtatet më shumë me këto nevoja.
Shoqëria e sigurimit dhe ndërmjetësit në sigurime detyrohen t’i ofrojnë çdo individi të interesuar përpara nënshkrimit të kontratës së sigurimit të pronës, të gjithë informacionin e nevojshëm në lidhje me llojin e sigurimit. Ky informacion gjendet edhe në faqen zyrtare të internetit të shoqërisë dhe duhet të jetë:
– i plotë
– i saktë
– i qartë
– lehtësisht I aksesueshëm
Konsultoni faqet online të shoqërive të sigurimit, të cilat ofrojnë sigurimin e pronës apo pyesni punonjësin e shoqërisë ose ndërmjetësin për të marrë informacionin që Ju nevojitet. Gjithashtu, shoqëria e sigurimit merr informacion nga ju nëpërmjet plotësimit të formularit për të përcaktuar nivelin e rrezikut dhe primin e sigurimit.
· Kur konsiderohet e lidhur kontrata e sigurimit të pronës?
Kontrata e sigurimit të pronës konsiderohet e lidhur dhe prodhon efektet e saj, kur:
– Është nënshkruar polica e sigurimit nga të dy palët, dhe
– Është paguar primi apo kësti i parë i tij, sipas përcaktimeve në kontratë.
Kujdesuni të merrni një kopje origjinale të policës dhe verifikoni që dokumenti nuk përmban korrigjime. Polica e sigurimit është dokumenti që vërteton që ju keni një sigurim të vlefshëm të pronës.
· Primi dhe shuma e sigurimit
Shuma e sigurimit përcaktohet në kontratën e sigurimit dhe përfaqëson vlerën maksimale të dëmshpërblimit në rast të ndodhjes së ngjarjes së siguruar. Sugjerohet që prona të sigurohet në vlerën e plotë të zëvendësimit të objektit, duke përfshirë gjithashtu dhe shpenzimet e nevojshme për të kthyer pronën në gjendjen e mëparshme. Nëse shuma e siguruar tejkalon ndjeshëm vlerën e siguruar atëherë si siguruesi ashtu edhe i siguruari mund të kërkojnë zvogëlimin e shumës së siguruar dhe primi i paguar do të zvogëlohet respektivisht. Nëse para ndodhjes së ngjarjes së sigurimit, shuma e siguruar është më e vogël se vlera e sigurimit, atëherë dëmshpërblimi do të shumëzohet me koeficientin e nënsigurimit, i cili përcaktohet si raport i shumës së siguruar ndaj vlerës së sigurimit.
Pagesa e primit mund të kryhet në disa forma, në varësi të kontratës së sigurimit:
– Me këste;
– Për të gjithë periudhën.
Pagesa e primit mund të kryhet nëpërmjet sistemit bankar dhe/ose para në dorë. Si dëshmi e pagesës së primit mund të jetë, dokumenti bankar i pagesës apo mandati i arkëtimit i lëshuar nga shoqëria e sigurimit me përshkrimin e pagesës së kryer.
· Kërkesa për dëmshpërblim
I siguruari raporton dëmin dhe kërkon dëmshpërblimin për humbjet apo dëmtimet e pësuara të pronës që ka siguruar brenda afatit ligjor të përcaktuar në kontratë. Procedura për dëmshpërblim bëhet sipas formularit të publikuar në faqen zyrtare të internetit të shoqërisë së sigurimit dhe shoqërohet nga të paktën këto dokumenta:
– Kërkesë për dëmshpërblim e plotësuar me detaje për ngjarjen e ndodhur;
– Konfirmimin dhe /ose vendimin e organeve kompetente shtetërore mbi shkakun dhe/ose shkaktarët e dëmtimit të pronës;
– Polica origjinale e sigurimit për pronën e dëmtuar, shoqëruar me kontratën dhe pyetësorin e marrjes në sigurim;
– Karta e identitetit e aplikuesit për dëmshpërblim;
– Autorizim përfaqësimi nga pronari i ligjshëm, kur aplikuesi është dikush tjetër;
– Foto/video të pronës së dëmtuar në tërësi dhe çdo element të pretenduar për dëmshpërblim në veçanti në vendngjarje;
– Certifikata e pronësisë së objektit të dëmtuar;
– Skica, projekti, gentplani i pronës, objektit të dëmtuar, librezë teknike e pajisjes së dëmtuar;
– Listë e detajuar e pajisjeve ose objekteve të dëmtuara në këtë ngjarje;
– Deklaratë nga dëshmitarët në vendngjarje;
– Akt vlerësimi i dëmit nga vlerësues të licencuar;
– Relacion përmbledhës mbi ngjarjen e ndodhur dhe vlerësimin e dëmit.