Dhënia me qira
1. Keni lidhur një kontratë qiraje apo nënqiraje dhe kërkoni ta regjistroni? Atëherë ju nevojitet të aplikoni shërbimin Aplikim për regjistrimin e kontratës së qirasë apo të nenqirase.
2. KODI CIVIL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
QIRAJA
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 801
Qiraja është kontrata me të cilën njëra palë (qiradhënësi) detyrohet t’i japë palës tjetër (qiramarrësit) një send të caktuar, në gëzim të përkohshëm kundrejt një shpërblimi të caktuar.
Neni 802
Qiradhënësi duhet: 1. t’i dorëzojë qiramarrësit sendin në kohën e caktuar dhe në gjendje që të lejojë përdorimin për të cilën palët janë marrë vesh; 2. të kujdeset për të mbajtur sendin në po këtë gjendje; 3. të garantojë gëzimin e qetë gjatë periudhës së qirasë.
Neni 803
Qiraja nuk mund të lidhet për një kohë më të gjatë se tridhjetë vjet, përveç kur parashikohet ndryshe nga ligji. Në qoftë se ajo është lidhur për një periudhë kohe më të gjatë ose pa afat, ka fuqi vetëm për afatin e sipërm. Për ndërtesat që përdoren për banim, kontrata e qirasë nuk mund të lidhet për një kohë më të gjatë se pesë vjet. Për sende të luajtshme të dhëna për pajisjen e një sendi të paluajtshëm, afati është baraz me kohëzgjatjen e qirasë së këtij të fundit. Kontrata e qirasë, për një kohë më të gjatë se një vit, duhet bërë me shkresë.
Neni 804
Qiramarrësi, që ka ekzekutuar në rregull detyrimet që kanë rrjedhur nga kontrata, ka të drejtën që të preferohet ndaj personave të tjerë në rast se, me mbarimin e kohës së qerasë, do të lidhet kontrata e re.
Të drejta e detyrime të qiradhënësit
Neni 805
Qiradhënësi duhet të kryejë, gjatë periudhës së qirasë, të gjitha riparimet, me përjashtim të punimeve për mirëmbajtjen e përditshme që janë në ngarkim të qiramarrësit. Për sende të luajtshme, shpenzimet për ruajtjen e për mirëmbajtjen e zakonshme janë në ngarkim të qiramarrësit, përveçse kur me marrëveshje parashikohet ndryshe. Kur sendi i dhënë me qira ka nevojë për riparime, që nuk janë në ngarkim të qiramarrësit, ky është i detyruar të njoftojë qiradhënësin. Në rast riparimesh urgjente qiramarrësi mund t’i kryejë ato drejtpërdrejt, kundrejt kthimit të shpenzimeve, me kushte që të njoftojë menjëherë qiramarrësin.
Neni 806
Në qoftë se në kohën e dorëzimit, sendi i dhënë me qira cenohet nga të meta që ulin në mënyrë të dukshme vlerën e përdorimit të kontraktuar, qiramarrësi mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës, ose zbritjen e çmimit të qerasë, përveç kur ai ka patur dijeni për të metën ose ajo është lehtësisht e dallueshme. Qiradhënësi është i detyruar t’i paguajë qiramarrësit dëmet e ardhura nga veset e sendit, në qoftë se nuk provon se, pa patur faj, nuk ka patur dijeni për këto vese në momentin e dorëzimit. Në qoftë se veset e sendit vënë para një rreziku të madh shëndetin e qiramarrësit ose të familjes apo të vartësve të tij, qiramarrësi mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës edhe po qe se veset njiheshin prej tij.
Neni 807
Marrëveshja, me të cilën përjashtohet ose kufizohet përgjegjësia e qiradhënësit për veset e sendit, nuk ka efekt në qoftë se qiradhënësi ia ka fshehur me keqbesim qiramarrësit ato, ose kur veset janë të tilla që të pengojnë gëzimin e sendit.
Neni 808
Dispozitat e neneve të mësipërme janë të zbatueshme edhe në rastet e veseve të sendit të ndodhura gjatë qirasë.
Neni 809
Në qoftë se gjatë qirasë sendi i dhënë me qira ka nevojë për riparime urgjente, qiramarrësi duhet të lejojë kryerjen e tyre. Në qoftë se sendi nuk riparohet brenda një kohe të arsyeshme, qiramarrësi ka të drejtë për një ulje përpjesëtimore të qirasë.
Neni 810
Qiradhënësi detyrohet të garantojë qiramarrësin nga shqetësimet që pakësojnë vlerën e përdorimit dhe të gëzimit të sendit, të shkaktuara nga të tretët që pretendojnë se kanë të drejta mbi të njëjtin send.
Neni 811
Në qoftë se të tretët që krijojnë shqetësime pretendojnë se kanë të drejta mbi sendin e dhënë me qira, qiramarrësi është i detyruar ta njoftojë menjëherë qiradhënësin, përndryshe ngarkohet me shpërblimin e dëmit.
Të drejta e detyrime të qiramarrësit
Neni 812
Qiramarrësi duhet: 1. të marrë në dorëzim sendin dhe ta përdorë për qëllimin që është parashikuar në kontratë dhe, kur nuk është parashikuar, sipas qëllimit që del nga natyra e sendit; 2. të kryejë pagesën në afatet e caktuara.
Neni 813
Qiramarrësi përgjigjet për humbjen dhe dëmtimin e sendit të cilat ndodhin gjatë kontratës së qirasë.
Neni 814
Qiramarrësi duhet t’ia kthejë qiradhënësit sendin në të njëjtën gjendje që e ka marrë, në përputhje me përshkrimin e bërë nga palët në kontratë.
Neni 815
Qiramarrësi që është në vonesë për të kthyer sendin, detyrohet t’i japë qiradhënësit pagesën e caktuar deri në dorëzim.
Neni 816
Përveç kur parashikohet ndryshe në ligj, qiramarrësi nuk ka të drejtë të shpërblehet për përmirësimet e bëra sendit të marrë me qira.
Neni 817
Qiramarrësi që ka bërë shtesa në sendin e marrë me qira, ka të drejtë t’i heqë ato në mbarim të qirasë kur kjo mund të kryhet pa dëmtuar sendin.
Neni 818
Qiramarrësi, veç marrëveshjes së kundërt, ka të drejtë të japë me nënqira sendin që ka marrë me qira.
Neni 819
Qiradhënësi, pa cenuar të drejtat e tij ndaj qiramarrësit, mund të ngrejë padi kundër nënqiramarrësit për të kërkuar çmimin e nënqirasë.
Mbarimi i kontratës së qirasë
Neni 820
Qiraja me afat të caktuar nga palët pushon me mbarimin e afatit.
Përsëritja e kontratës së qirasë
Neni 821
Qiraja përtërihet në qoftë se, pasi të ketë mbaruar afati i saj, qiramarrësit i lihet në përdorim sendi i dhënë me qira pa kundërshtimin e qiradhënësit.
Marrëdhëniet me të tretët
Neni 822
Kontrata e qirasë mund t’i kundrejtohet të tretit që ka fituar sendin e dhënë me qira.
Neni 823
Në qoftë se qiraja nuk ka datë të saktë, fituesi nuk është i detyruar të respektojë qiranë.
Neni 824
Në qoftë se qiramarrësi është përjashtuar nga fituesi, qiradhënësi detyrohet të shpërblejë dëmin.
Neni 825
Fituesi është i detyruar të respektojë kontratën e qirasë qysh nga dita e fitimit për të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga kontrata e qirasë.